Vuçiq: Radoiçiq ishte aleati im i ngushtë, nuk mund ta ekstradoj në Kosovë

unnamed-file-1122

vuciq:-radoiciq-ishte-aleati-im-i-ngushte,-nuk-mund-ta-ekstradoj-ne-kosove

vuciq:-radoiciq-ishte-aleati-im-i-ngushte,-nuk-mund-ta-ekstradoj-ne-kosove

Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiqin në Kosovë, sepse ne nuk e njohim Kosovën. Ai ishte aleati im i ngushtë, por jo miku im, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Sky News, transmeton FrontOnline.

I pyetur për akuzat e Prishtinës, se Beogradi kinse i ka planifikuar ngjarjet në Banjska dhe i ka ofruar armë një grupi serbësh, si dhe për fotografitë e Policisë së Kosovës, të cilat tregojnë se shumica e armëve të konfiskuara janë prodhuar në Serbi, presidenti serb thotë se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin.

“Kush do të besojë se në fakt është diçka ndryshe, pothuajse askush”, tha Vuçiq, transmeton FrontOnline.

Ai ka përsëritur se edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës përdorin armë të prodhuara në Serbi, por se Serbia nuk ua ka shitur.

“Ata djem që i ndiqnin serbët dhe që janë nga Policia e Kosovës, mbanin një AK47 të prodhuar këtu në Kragujevc”, tha Vuçiq.

Presidenti serb është i bindur se është e lehtë të gjesh armë dhe jo vetëm në tregun e zi.

“Njerëzit gjithmonë do t’i mbështesin njerëzit që duan të mbrojnë, sepse nga këndvështrimi ynë, nga këndvështrimi i serbëve, ajo është pjesë e Serbisë, sipas Kushtetutës sonë, është një kënd tjetër që duhet ta shikoni. Prandaj them që nuk është diçka që lejohet, por them që nuk është aq e vështirë”, tha Vuçiq.

Duke folur për Milan Radoiçiqin, të cilin Kosova e akuzon si organizator të grupit, Vuçiq ka dhënë detaje të reja se si i ka siguruar armët, duke iu referuar deklaratës së Radoiçiqit.

“Radoiçiq që u mor në pyetje në procedurën paraprake tha se ka blerë diçka në Serbi, diçka në Kroaci, diçka në Bosnje, le ta kontrollojmë tani”, tha presidenti serb për Sky News, transmeton FrontOnline.

I pyetur nëse Radoiçiq ka qenë aleati i tij i ngushtë, Vuçiq është përgjigjur pozitivisht: “Nuk ka dyshim, ai ka qenë nënkryetar i Listës Serbe”.

Megjithatë, ai nuk mund të thotë se ishte shoku i tij. “Ai u akuzua. Ishte një krim i madh, i madh”, theksoi Vuçiq.

I pyetur se pse nuk e ekstradon Radoiçiqin në Kosovë, Vuçiq përgjigjet me një pyetje – “po tallesh me mua apo çfarë”.

Po ju kërkoj sepse e dini se ne nuk mund të ekstradojmë askënd në Prishtinë, sepse nuk e njohim Kosovën si shtet”, tha Vuçiq.

Ai përsërit se ky është një krim i rëndë.

Duke folur për grupin e serbëve që u përleshën me policinë e Kosovës në Banjskë, Vuçiq thekson se “ata njerëz kryesisht janë përzënë nga pragu i shtëpisë së tyre”.

I pyetur nëse ka simpati për këta njerëz, Vuçiq thotë se nuk ka dhe se e dënon vrasjen e një polici, pavarësisht se çfarë bën apo çfarë ndodh në Veri të Kosovës. Megjithatë, ai shton se ndryshe nga Prishtina, e cila i quan terroristë, ai nuk mund t’i përshkruajë kështu “njerëzit që kanë jetuar atje dhe kanë dashur të kthehen”.

I pyetur se pse nuk i normalizon marrëdhëniet me Prishtinën, Vuçiq ka theksuar se Serbia po bën gjithçka dhe është konstruktive dhe se kështu ka qenë edhe në takimin e fundit në Bruksel, duke pranuar të gjitha propozimet e Bashkimit Evropian.

“Pala tjetër nuk ka dashur të bëjë asgjë lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, i cili është nënshkruar para 10 vitesh dhe nuk kanë dashur të lëvizin prej tij. Ata gjithmonë kërkonin vetëm njohje dhe asgjë më shumë. Ata nuk kanë dashur të respektojnë Asociacionin”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se nuk do të kishte policë shqiptarë në Veri të Kosovës nëse do të respektohej Marrëveshja e Brukselit.

“Duhet të kishte serbë me uniformën e Policisë së Kosovës, sipas nenit 9 të Marrëveshjes së Brukselit”, tha Vuçiq për Sky News./FrontOnline/