Vala ka dalë me një njoftim rreth rënies së shërbimeve të telefonisë mobile mëngjesin e sotëm.
Telekomi i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se mungesa e valëve po ndodh për shkak të ndërrimit të pajisjeve.
“Sot në mëngjes, në orën 8:48 minuta, për arsye të vjetërsisë së pajisjeve, të cilat edhe ashtu sipas planit do të ndërrohen shumë shpejt, pati një rënie të përgjithshme të shërbimeve të telefonisë mobile në tërë vendin. Ekipet teknike po punojnë që shpejt ta sanojnë gjendjen dhe të rikthejnë shërbimet”, thuhet në njoftim.
Vala ka thënë se pajisjet do të ndërrohen shumë shpejtë, porse nuk ka treguar kur saktësisht do të rregullohet shërbimi.
“Duke ju kërkuar ndjesë konsumatorëve, për shqetësimin e arsyeshëm, ju njoftojmë se këto pajisje do të ndërrohen shumë shpejt dhe qytetarët do të kenë shërbime të nivelit evropian, falë teknologjisë së fjalës së fundit që e kemi instaluar në disa pjesë të Kosovës dhe të cilën do ta instalojmë së shpejti në tërë vendin, kur të gjitha shërbimet të zhvendosen në platformat e reja”, thuhet tutje.