Spitalet me mungesë të autoambulancave

unnamed-file-1465

spitalet-me-mungese-te-autoambulancave

spitalet-me-mungese-te-autoambulancave

Numri i autoambulancave që kanë në posedim QKUK-ja dhe spitalet e përgjithshme në vend, po del të jetë i pamjaftueshëm.

QKUK-ja ka vetëm shtatë autoambulanca funksionale. E me to, bëhet vetëm transporti brenda klinikave të QKUK-së, ndërsa brenda qyteteve jo.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si institucion terciar shëndetësor, nuk bënë transport të pacientëve brenda qyteteve, meqë është kompetencë e Qendrave të Mjekësisë Familjare. Aktualisht, QKUK ka 7 autoambulanca funksionale që bëjnë transport brenda klinikave QKUK! Për QKMF, duhet t’i drejtoheni komunave dhe Ministrisë së Shëndetësisë!”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të QKUK-së për Gazetën Express.

Dy autoambulanca më pak i ka Spitali i Prizrenit. Gjithsej pesë. E tri prej tyre janë të amortizuara.

“Aktualisht Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka 5 autoambulanca. Tri prej tyre janë të amortizuara. Duhen së paku për 2 autoambulanca të reja”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E vetëm katër autoambulanca funksionale i ka Spitali i Mitrovicës. Nga ky spital i thanë Gazetës Express se kanë nevojë për autoambulanca të reja, pasi që aktualisht i kanë dy të prishura.

“Spitali i Përgjithshëm Mitrovicë posedon 6 autoambulanca. Dy nuk janë funksionale për shkak të vjetërsisë dhe 4 autoambulanca janë funksionale. Gjithsesi, ka nevojë ende edhe për autoambulanca të tjera”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, shtatë autoambulanca funksionale i ka Spitali i Pejës.

Nga ky spital kanë thënë , se numri i tyre është i mjaftueshëm për nevojat e spitalit.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë posedon 7 autoambulanca dhe të gjitha janë në gjendje funksionale. Numri i tyre është i mjaftueshëm për nevojat tona”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Spitali i Gjakovës, Vushtrrisë dhe Gjilanit dhe Ferizajt nuk kanë treguar se sa autoambulanca kanë në posedim dhe se a kanë nevojë për shtim të numrit të tyre.