Rrugët për zgjedhje në veri: Mundësia e peticionit vlerësohet e pamundur

unnamed-file-892

rruget-per-zgjedhje-ne-veri:-mundesia-e-peticionit-vleresohet-e-pamundur

rruget-per-zgjedhje-ne-veri:-mundesia-e-peticionit-vleresohet-e-pamundur

Pas deklaratave nga qeveria e Kosovës se së pari duhet të hiqen sanksionet për shpalljen e zgjedhjeve në veri, është kthyer në diskutim sërish mundësia ligjore për zgjedhje të reja në katër komunat veriore.

Janë dhënë shumë interpretime megjithatë një të tillë më të elaboruar e ka bërë të ditur ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka theksuar se në kohën kur ishte ndarë nga Vetëvendosja, kishte pasur disa synime të këtyre të fundit që ta largojnë nga posti i kryetarit të kryeqytetit.

Megjithatë, sipas Ahmetit, rruga ligjore nuk është aq e lehtë sa po bëhet nëpër diskutime publike.

Sipas tij, mundësia më e lehtë është dorëheqja.

“Dorëheqja – është mënyra më e lehtë dhe më e pastër nga ana administrative. Dorëheqjet shkaktojnë zgjedhje të reja që do të mbahen brenda një periudhe të shkurtër (gjithsej 60 ditë. Megjithatë, qeveria ka refuzuar ta pranojë këtë p.sh. duke e konsideruar atë një akt moral. Gjithashtu, qeveria nuk duhet të premtojë diçka që nuk është në autoritetin e saj. Këtë mund ta bëjnë vetëm kryetarët e komunave,” – ka shkruar Ahmeti fillimisht në rrjetin social Twitter.

Mundësia për zgjedhje të reja nëpërmjet peticionit, sipas Ahmetit, është e pamundur në praktikë. Ai e ka sqaruar pse.

“Peticioni i qytetarëve për largimin e kryetarit – opsioni i preferuar i qeverisë. Është e mundur vetëm në teori – në praktikë e pamundur. Duhen dy votime. Pasi 20 për qind e votuesve të regjistruar e nënshkruajnë atë – peticioni i dorëzohet kryetarit të Kuvendit të Komunës. Pas kontrollit të nënshkrimeve,kryetari ia referon kërkesën KQZ-së (organit zgjedhor). Organizohet një votim (votim mosbesimi) ku votuesit i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë nëse duan të largojnë kryetarin (po ose jo). 50 përqind plus një nga të gjithë votuesit e regjistruar duhet të votojnë po”, ka sqaruar fillimisht Ahmeti.

“Shumica e komunave nuk marrin as 50 për qind pjesëmarrje në zgjedhje, aq më pak për t’i shtyrë të votojnë po. Nëse votimi i mosbesimit rezulton i suksesshëm, ai shkakton zgjedhje të reja. (Gjithsej përafërsisht 180 ditë),” – ka treguar ish-kryetari i Prishtinës.

Në zgjedhjet e vitit 2021, psh, në komunën ne Leposaviqit kishin marrë pjesë 74.95% e qytetarëve në votime. Në Zubin Potok mbi 65%. Në Mitrovicë të Veriut mbi 69 për qind. Dhe në Zveçan mbi 84 për qind, shkruan Nacionale.

Ahmeti ka treguar edhe disa opsione të tjera për zgjedhje të reja.

“Ndryshimi i adresës – ky dhe opsioni tjetër janë shumë të lehtë administrativisht por jo shumë të zbatueshëm. Nëse kryetari zyrtarisht e ndërron vendbanimin – kalon në letër në një komunë tjetër, p.sh. nga Zveçani në Prishtinë, humbet mandatin. Nënkryetari i komunës njofton brenda 7 ditësh Kryetarin e Bashkisë dhe nisin zgjedhjet”, tha Shpend Ahmeti.

“Kryetari nuk del në punë për 30 ditë pa arsye. Përsëri, nënkryetari i komunës është përgjegjës për të informuar kryetarin brenda tre ditëve dhe nisin zgjedhjet”, përfundoi postimi i Shpend Ahmetit.

Për këtë çështje ka folur edhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Ajo tha se njëra mënyrë është që 50 për qind e votuesve të komunës përkatëse të nënshkruajnë peticion ku kërkohet shkarkimi i kryetarit të asaj komune.

E dyta mënyrë e cila është më e thjeshtë, është që kryetarët të japin dorëheqje vullnetarisht.

“S’di a ka ndodhur ndonjëherë, në ligjin për vetëqeverisje lokale parashihet mundësia që 20% të votuesve që janë në listë votuese nëpërmjet peticionit të kërkojnë dorëheqjen e kryetarit, faktikisht 50% të gjithë votuesve. Mënyra tjetër është të japin dorëheqje”, tha ajo.

Qeveria ka thënë se opisoni më i preferuar për ta është ai me peticion, e jo me dorëheqje pasi dorëheqja është akt moral.