Qeveria aprovon kërkesën e Telekomit për huamarrjen 15 milionë euroshe

unnamed-file-693

qeveria-aprovon-kerkesen-e-telekomit-per-huamarrjen-15-milione-euroshe

qeveria-aprovon-kerkesen-e-telekomit-per-huamarrjen-15-milione-euroshe

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka aprovuar në parim kërkesën e Telekomit për huamarrje prej 15 milionë eurosh për projekte investive në këtë ndërmarrje

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ministria ka shqyrtuar kërkesën e Telekomit e cila fillimisht ka qenë 20 milionë euro.

“Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese dhe përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, ka thënë ai duke shtuar se Telekomi ka pasur nevojë për këtë kredi shtesë.

Qeveria në mbledhjen e së enjtes ka shtyrë disa projektligje të cilat ishin të planifikuara për këtë vit për shkak të numrit të madh të tyre.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal, ai për planifikim hapësinor, për harmonizim të ligjeve të veçanta me Ligjin për inspektimet dhe ai për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin për leje dhe licenca, janë projektligjet që u shtynë për vitin e ardhshëm.

Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare.

Qeveria e Kosovës është pronare e të gjitha aksioneve të Telekomit.

Deri në vitin 2015, kjo ka qenë kompania më fitimprurëse në vend.

Nga viti 2008 deri më 2015, ajo i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividenda – mjete që ndahen kur kompania shënon rezultate të mira financiare.

Por, viteve më pas, është përballur me përkeqësim të situatës financiare.

Kjo, sipas ekspertëve të telekomunikacionit, ka ndodhur si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit.