Prishtina po bëhet me shkollë për kodim, falas për të rinjtë mbi 18 vjeç

unnamed-file-88

Prishtina deri në fund të vitit do të bëhet me kampusin e rrjetit global të “shkollave 42”.

Ky projekt i veçantë do të jetë enkas për të rinjtë mbi 18 vjeç dhe krejtësisht falas.

Kështu tha nënkryetarja Donjeta Sahatçiu.

Sahatçiu tha se kjo po ndodh për herë të parë në Ballkan.

Ajo dha edhe arsyet se pse po ndodh edhe një projekt i tillë gjigand.

“Sipas Barometrit të Teknologjisë së Informacionit për vitet 2021-2022* të sapo publikuar nga STIKK, 75% e kompanive kanë raportuar se përballen me një deficit të fuqisë punëtore të kualifikuar. Nevojës së madhe të Kosovës për programerë të shkathët në treg duhet t’i përgjigjemi me zgjidhje konkrete, të shpejta dhe të qëndrueshme. Kushdo duhet të ketë mundësinë të provojë kodimin, pavarësisht moshës, përvojës dhe kushteve financiare. Nuk mjafton që lënda e kodimit të jetë lëndë zgjedhore në shkolla. Koncepti i rrjetit të “shkollave 42” do të i përgjigjet saktësisht kësaj nevoje”, tha ajo.

E dyta e Prishtinës theksoi se ky kampus ka nisur në vendet më të njohura të botës.

“42** është shtëpia e kampuseve më të mira të teknologjisë së informacionit në botë. Me një kurrikulë që është pa pagesë, promovimi i diversitetit, përdorimi i të mësuarit nga bashkëmoshatarët dhe një regjistrim pa ndonjë kërkesë paraprake e bën këtë koncept krejtsisht ndryshe nga çdo shkollë tjetër. Ka filluar me 42Paris në 2013 për të ekzistuar sot në 35 qytete të botës siç është Londra, Vjena, Berlini, Roma, Praga, Barcelona, Rio, Madridi, Lozana, Stambolli, Tokio e Bankoku”, shtoi e dyta e kryeqytetit të Kosovës.