“Nuk na lanë të hyjmë brenda”- Kush është “Italiani” i përfshirë në vrasje e plagosje nëpër kafenetë e Prishtinës?

unnamed-file-845

“Nuk na lanë të hyjmë brenda”- Kush është “Italiani” i përfshirë në vrasje e plagosje nëpër kafenetë e Prishtinës?

Një person ka ndërruar jetë pas plagëve të marra nga gjuajta me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”. Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin ku thotë se kanë mbetur të lënduar 21 persona, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit. Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.

Andi Pajaziti i njohur me nofkën “italiani” dyshohet se është një ndër personat që u plagos në këtë zënkë.

“Italiani” është emër i njohur për organet e drejtësisë. I njëjti ishte përfshirë edhe më herët në plagosjet në klubin e natës “Duplex”.

Në vitin 2019 nga të shtënat me armë zjarri në klubin në fjalë të plagosur kishin mbetur katër persona. Astrit Mehmeti i njohur me nofkën “Llepota” dyshohet se kishte gjuajtur me armë së bashku me dy shoqëruesit e tij Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.

Nga arratia “Italiani” kishte folur për Gazetën Insajderi duke i treguar edhe arsyet e ngjarjes.

“Ata nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda. Ka qenë veprim i keq ai i joni, por ata kanë gabuar sepse ne nuk kemi shkuar që të luftojmë atje. Si krejt bota që do me hy brenda edhe ne kemi dashtë, por nuk na kanë lejuar, andaj ka ndodhur ky keqkuptim. Nuk ka pas të bëjë as femrat as asgjë tjetër, vetëm kanë thënë që neve nuk na lënë të hyjmë brenda”, kishte deklaruar Pajaziti duke theksuar se do të vetdorëzohet në polici gjë që nuk e kishte bërë.

Dy javë më vonë ai ishte arrestuar nga policia por që më vonë u lirua.

Më vonë “Italiani” u përfshi edhe në një rast tjetër. Më 26 shtator 2020 ai u arrestua nga policia nën dyshimet për përfshirje në një konflikt me Hamdi Novobërdaliun.