Lirohet logopedi që sulmoi katërvjeçaren në Podujevë, rasti kalon në procedurë të rregullt

unnamed-file-1045

lirohet-logopedi-qe-sulmoi-katervjecaren-ne-podujeve,-rasti-kalon-ne-procedure-te-rregullt

lirohet-logopedi-qe-sulmoi-katervjecaren-ne-podujeve,-rasti-kalon-ne-procedure-te-rregullt

Besart Sokoli, logopedi që dyshohet se i ka shkulur flokët dhe i ka lënduar hundën një vajze katërvjeçare me aftësi të kufizuara, është duke u hetuar në procedurë të rregullt. Kjo është konfirmuar për Express, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

Është liruar në procedurë të rregullt logopedi Besart Sokoli që dyshohej se e kishte sulmuar fizikisht katërvjeçaren në Podujevë, shkruan Gazeta Express.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se kjo çështje penale po vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, ka thënë ajo për Gazetën Express.

Fillimisht Sokoli është arrestuar nën dyshimin për se i ka shkulur flokët dhe e ka lënduar në hundë, një vajzë katërvjeçare me aftësi të kufizuara.

Prindërit e kanë denoncuar në polici për dhunë.

Sipas tyre, logopedi Sokoli ua kishte konfirmuar se mbi vogëlushen ka ushtruar presion.

Si ndodhi rasti në Podujevë?

Vajza siç konfirmoi babai i saj kishte filluar të shkonte në seanca në klinikën “Logomedicus” që nga 30 qershori i këtij viti.

Logopedi në Podujevë dyshohet se ia ka kapur flokët pacientes së mitur

Deri në gjashtë ditët e para gjithçka po shkonte mirë, më pas N.I kishte nisur të refuzonte dhe të qante sa herë merrte rrugën për tek logopedi.

Babai i viktimës në një prononcim për Insajderin ka treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhune në trupin e fëmijës të tij ishin vërejtur në fund të javës së kaluar.

“Nga data 30.6 e këtij viti e kemi çu në seancë të logopedi, e ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë më pas ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune por nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjetë çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjak në hundë dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës, ai i ka thënë ‘kam ushtru presion ma shumë se që duhet’”, ka thënë R.S.

Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.

“Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky lloj presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal, e pyetja a ia bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici. Vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares. Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk është në gjendje të mirë që nga dita e shtunë.

Gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor, Sokoli e ka pranuar se ia ka shkulur flokët vajzës derisa ka qenë duke e trajtuar.

MSH dhe OIK: Sokoli është licencuar për logoped në 2020-ën

I njëjti ka tri vite që është licencuar për logoped. E ordinanca është licencuar në shtator të vitit të kaluar. Këto të dhëna i ka bërë të ditura për Express, Ministria e Shëndetësisë.

“Ambulanca e Logopedisë “LOGOMEDICUS” në Podujevë është licencuar në vitin 2022.”, kanë bërë më dije nga ministria.

Lidhur me çështjen e logopedit, Sokoli janë deklaruar edhe nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor.

Nga ky institucion kanë thënë për Gazetën Express, se Sokoli është anëtar i OIK-ut që nga viti 2020 dhe se ka licencë valide deri në vitin 2025.

“Lidhur me pyetjen tuaj, B.S. është anëtar i OIK nga data 11.06.2020 dhe ka licencë valide deri me 2025 në profilin e Logopedisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E lidhur me revokimin e licencës, pas ngjarjes së fundit, ku Sokoli u arrestua, nga OIK kanë thënë se janë në pritje Inspektoratit Shëndetësor për të ndërmarrë veprime ligjore.

“OIK, është në pritje të vendimit të Inspektoratit Shëndetësor për të ndërmarre veprime ligjore lidhur me shkeljen e supozuar”, thuhet tutje në përgjigjen e OIK për Express.