Lirohen në procedurë të rregullt 3 zyrtarët komunalë që u arrestuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

unnamed-file-486

lirohen-ne-procedure-te-rregullt-3-zyrtaret-komunale-qe-u-arrestuan-nen-dyshimin-per-keqperdorim-te-detyres-zyrtare

lirohen-ne-procedure-te-rregullt-3-zyrtaret-komunale-qe-u-arrestuan-nen-dyshimin-per-keqperdorim-te-detyres-zyrtare

Zyrtari i Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku dhe një zyrtar tjetër i kësaj qendre, janë liruar në procedurë të rregullt, pasi ishin ndaluar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se gjatë kësaj faze hetimore, Prokurori i Shtetit i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave personale dhe materiale, si dhe ka vlerësuar që rastin ta hetoj në procedurë të rregullt”, konfirmoi ajo.

Edhe avokati i Aliut, Mahmut Halimi konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, se i mbrojturi i tij është liruar në procedurë të rregullt.

Ndryshe, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, ka reaguar pasi u ndalua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në reagimin e tij, Mujku thotë se është i pastër si loti e se ky është tentim i qëllimshëm për njollosje nga indivicë të caktuar, por se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.

Ndërkaq, të premten Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë lëshuar aktvendim për ndalimin e dy personave V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të QPS-së në Prishtinë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenin 414 të KPRK-së, ngase të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”, thuhej në njoftim.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, njoftoi se të premten pasdite është intervistuar nga Policia e Kosovës në cilësi të dëshmitarit, teksa tha se çështja kishte të bënte me ndalimin e tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.

“Të dashur qytetarë, Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës. Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, kishte shkruar ndër të tjera ai në Facebook.