Mjeku që u ndalua nga Policia e Kosovës nën dyshimin për marrje të ryshfetit, është ortopedi Sami Delijaj.
Ortopedi Sami Delijaj është mjeku i arrestuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “marrje të ryshfetit”, ka mësuar Gazeta Shneta.
Delijaj është ndaluar me udhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë nën dyshimin se gjatë punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”.
Prokuroria në njoftimin e bërë për media thotë se është duke vazhduar hetimet lidhur me rastin.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në njoftim.
Për arrestimin e Delijajt ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, nga ku kanë thënë se do të ndërmirren të gjitha veprimet ligjore.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin se një mjek është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, marrje e ryshfetit. Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore. Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë raste të parregullsive”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/