Kurti: T`i çmontojmë strukturat që ndihmojnë në përdorimin e pabarazisë

unnamed-file-1506

kurti:-t`i-cmontojme-strukturat-qe-ndihmojne-ne-perdorimin-e-pabarazise

kurti:-t`i-cmontojme-strukturat-qe-ndihmojne-ne-perdorimin-e-pabarazise

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një panel diskutimi në kuadër të Shkollës Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat, në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, tha se kur flasim për emancipim, nuk bëhet fjalë veç për çlirimin e grave, por edhe për edukimin e burrave.

“Le t’i edukojmë burrat, që ata të jenë aleat për luftën për barazi gjinore. Gratë nuk është e thënë ta bëjnë këtë betejë vetëm. Duhet ta bëjnë bashkë me burrat, prandaj nevojitet emancipim, edukim i burrave për rëndësinë e barazisë gjinore”, tha kreu i qeverisë në këtë panel me temën kyçe “Barazia gjinore”.

Kurti tha se si institucione të shtetit kanë përgjegjësi për të nxitur ndjenjën e solidaritetit midis qytetarëve.

Ai potencoi se kjo kërkon përfshirje aktive të gjithë anëtarëve të shoqërisë.

Për mundësi dhe të drejta të barabarta, Kurti tha, si qeveri kemi theksuar rëndësinë e bursave në kuadër të programit STEM-Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, për të eliminuar një hendek social në tregun e punës.

“Për vetëm 21 muaj nga 37 mijë e 350 vende pune, 50.3 për qind janë gra të punësuara, derisa më shumë se sa gjysma e atyre që kanë përfituar nga “Superpuna” po ashtu janë gra. Programi “Qeveria për familjen” ka mundësuar që 603 gra të jenë përfituese, ndërkaq janë mbështetur mbi 34 mijë gra lehona, me ç’rast 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë”, tha Kurti.

Kryeministri tha se nuk i shohin gratë vetëm si nëna ose si lehona, mirëpo gratë duhet te kenë sa më shumë kohë për vetën e tyre, dhe mbështetja financiare për to dhe për fëmijët, kontribuon ndjeshëm për të gjithë.

“Deri më tani kemi mbështetur biznese që janë në pronësi të grave me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon tre milionë euro. E në bujqësi për vitin 2021 i kemi ndarë subvencionet për 1325 gra përfituese”, deklaroi Kurti.

Ai tha se synimi është që “t’i çmontojmë strukturat që ndihmojnë në përdorimin e pabarazisë, përderisa duhet të përpiqemi për pjesëmarrje aktive, ku gratë jo vetëm të kenë një vend në tryezë, por edhe një zë në vendimmarrje”.

“Andaj, le të mos mjaftohemi me kaq, le të imagjinojmë një botë ku barazia, drejtësia nuk janë aspirate, por realitete të jetuara. Veprimet tona le të udhëhiqen nga parimet e barazisë ekonomike e të solidaritetit shoqëror, lirive dhe të drejtave, përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive”, përfundoi ai.

Shkolla Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat është një program pesë-ditor që bashkon studentë dhe liderë të rinj të interesuar për të eksploruar ndërlidhjen mes gjinisë dhe ekonomisë. NDI, ndërkaq do të organizojë Shkollën Verore në muajin shtator për një grup të përzgjedhur të rinjsh.

Programi do të rekrutojë 25-30 të rinj nga mosha 18 deri në 29 vjeç. Nëpërmjet leksioneve, seminareve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të familjarizohen me konceptet dhe teoritë kryesore të ekonomisë feministe dhe do të fitojnë një kuptim më të thellë se si gjinia ndikon në sistemet dhe rezultatet ekonomike.