Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)

unnamed-file-272

kosova-behet-anetare-e-komisionit-nderkombetar-per-personat-e-zhdukur-(icmp)

kosova-behet-anetare-e-komisionit-nderkombetar-per-personat-e-zhdukur-(icmp)

Sot, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzoi instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë, gjë e cila shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, njofton MPJD.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, zëvendësministri, z. Ahmeti, falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, z. Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Njëkohësisht, z. Ahmeti falënderoi zyrtarët e pranishëm të ICMP për angazhimin dhe kontributin e tyre shembullor në Kosovë për më shumë se dy dekada. Z. Ahmeti njëherësh përsëriti përkushtimin e Republikës së Kosovës në promovimin dhe avancimin e rolit të kësaj organizate të shprehur në takimin me Drejtoren Ekzekutive të Komisionit, z. Kathryne Bomberger, të mbajtur më 22 Maj të këtij viti, me ç ‘rast Komisioni ishte njoftuar për hapat që Republika e Kosovës kishte ndërmarr për t’u bërë pjesë e kësaj organizate”, njofton MPJD.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndër-qeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal, etj.

Komisioni ka selinë në Mbretërinë e Holandës, në qytetin e Hagës, dhe është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit.