Javën e kaluar u ekstraduan tre persona, mbi 250 të tjerë kërkohen me urdhër-arrest ndërkombëtar

unnamed-file-1294

javen-e-kaluar-u-ekstraduan-tre-persona,-mbi-250-te-tjere-kerkohen-me-urdher-arrest-nderkombetar

javen-e-kaluar-u-ekstraduan-tre-persona,-mbi-250-te-tjere-kerkohen-me-urdher-arrest-nderkombetar

Policia ka njoftuar javën që shkoi për ekstradimin nga shtetet e tjera të tre qytetarëve të Kosovës që ishin të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur procedurat që pasojnë pas ekstradimit dhe sa është numri i të kërkuarve me arrest-ndërkombëtar.

Pasi të ekstradohet një person nga shteti i huaj në Kosovë, ai dërgohet para gjykatësit ose prokurorit për procedurë penale apo në vuajtje të dënimit. Kështu kanë thënë nga Policia për Express.

“Personi i ekstraduar bazuar në urdhëresën përkatëse të gjykatës nga njësitë policore dërgohet para gjykatësit/prokurorit për procedurë penale apo në vuajtje të dënimit.”

PK ka thënë se aktualisht numri i personave që janë në kërkim me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuara nga Kosova është 258.

Nga Policia kanë bërë të ditur edhe numrin e personave që janë ekstraduar nga shtetet tjera në Kosovë në tri vitet e fundit dhe anasjelltas.

“Numri i personave që janë ekstraduar nga shtetet tjera në Kosovë në tri vitet e fundit, të cilët kanë qenë të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar është:

Në vitin 2023 = 12,

Në vitin 2022 = 33,

Në vitin 2021 = 30,

Ndërsa nga Kosova në shtetet tjera në tri vitet e fundit janë arrestuar dhe ekstraduar ky numër i shtetasve të huaj;

Në vitin 2023 = 10,

Në vitin 2022 = 19,

Në vitin 2021 = 15”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Express.

Të mërkurën e javës së kaluar, Policia dha lajmin për ekstradimin nga shtetet tjera të tre qytetareve të Kosovës.

Në njoftim thuhej se i ekstraduari i parë është L.C. i kërkuar për veprën penale “Mashtrim”, që ka qenë në kërkim nga Gjykata Themelore e Ferizajt dhe ajo e Prishtinës. Ai është arrestuar nga autoritetet gjermane dhe më 30 qershor është ekstraduar në Kosovë.

I ekstraduari i dytë është B.L., i kërkuar nga Gjykata në Pejë për veprën penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ai është arrestuar nga autoritetet hungareze dhe më 12 korrik është ekstraduar në Kosovë.

D.F., është personi i tretë i ekstraduar nga Finlanda në Kosovë më 14 korrik. Ai ka qenë i kërkuar nga Gjyakata Themelore në Mitrovicë pasi ka qenë i dënuar me tri vite burgim për veprën penale “Trafikim me narkotik”.

Të ekstraduarit ga Hungaria, B.L. tashmë i është caktuar paraburgimi, masë e cila do t’i zgjasë deri më 11 gusht. Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, e cila tha se nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të hetimeve.

“I pandehuri B.L, është ekstraduar nga shteti i Hungarisë m datë 12.07.2023 dhe me datë 13.07.2023, gjykata duke vepruar sipas Kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, ndaj të njejtit ka caktuar masën e paraburgimit e cila masë mund të zgjas deri me datë 11.08.2023. Detaje të tjera lidhur me këtë çështje, gjykata nuk mund të ofroj për shkak se çështja penale në fjalë është ende në fazën e hetimeve”, tha Zhuti.