Instituti i Psikiatrisë Forenzike me mungesë hapësirash – Dibrani flet për sfidat e ShKK-së dhe për mungesë stafi

unnamed-file-893

instituti-i-psikiatrise-forenzike-me-mungese-hapesirash-–-dibrani-flet-per-sfidat-e-shkk-se-dhe-per-mungese-stafi

instituti-i-psikiatrise-forenzike-me-mungese-hapesirash-–-dibrani-flet-per-sfidat-e-shkk-se-dhe-per-mungese-stafi

Psikiatria Forenzike në QKUK tash e sa kohë po përballet me mungesë hapësirash. Kështu, personat e privuar nga liria po detyrohen të kthehen në burg, pasi nuk po arrijnë të marrin shërbime.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani.

Dibrani ka thënë për Ekonomia Online se numri i shtretërve atje është shumë i vogël dhe ka raste kur gjykatat lëshojnë urdhër për trajtim të detyrueshëm por që të ndaluarit detyrohen të kthehen mbrapa.

Kreu i ShKK-së, ka folur edhe për ndërtimin e një burgu në rajonin e Dukagjinit dhe për mungesën e stafit. Ndonëse për këtë të fundit ka të hapur një konkurs, Dibrani shpreson se do t’i shtyjë të rinjtë të bëhen pjesë e Shërbimit Korrektues.

Mungesën e shtretërve në këtë institucion shëndetësor, Dibrani e konsideron si sfidë tash e sa kohë. Ai ka treguar edhe për veprimet që ndërmarrin kur e kuptojnë se nuk ka vend në Psikiatri.

“Natyrisht, edhe në këtë aspekt shërbimi korrektues i Kosovës ka arritur standardet evropiane, jeni në dijeni që kemi themeluar Institutin për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta dhe tanimë ka filluar vendosja e këtyre personave në këtë institut i cili ndodhet në qendrën korrektuese të Dubravës. Natyrisht që ekziston një problem sa i përket Psikiatrisë Forenzike e cila ndodhet në Qendrën Klinike Universitare, sepse numri i shtretërve atje është shumë i vogël dhe ka raste kur gjykatat lëshojnë urdhër për trajtim të detyrueshëm edhe për ekzaminim psikiatrik dhe ky institut nuk ka vend dhe ne detyrohemi t’i mbajmë personat të cilët nuk ish dashur të mbahen në burgje por që natyrisht ne jemi të obliguar t’i zbatojmë obligimet e gjykatave”.

Dibrani shpreson se me ndarjen e një buxheti të konsiderueshëm do të ndërtohet një aneks shtesë në këtë Institut. Për këtë shpreson se do të bëhet nga viti i ardhshëm.

“Për këto raste ne e njoftojmë gjykatën që i burgosuri apo i paraburgosuri është dërguar në Psikiatrinë Forenzike dhe nuk ka vend të lirë, ju lutem na tregoni si të veprohet më tutje. Pastaj gjykata prapë kur lirohet një vend në Psikiatrinë Forenzike bënë që këta persona të dërgohen aty. Ne prapë edhe sa i përket këtij instituti kemi vendosur që në kornizën afatmesme të shpenzimeve Ministria e Drejtësisë ka ndarë 2.3 milionë atje për rritjen e kapaciteteve dhe po shpresojmë që në vitin tjetër vetëm do të ketë lëvizje në drejtim të zgjerimit të institutit të psikiatrisë forenzike, apo edhe ndërtim të një aneksi atje afër objektit”, u shpreh Dibrani për EO.

Numri një i ShKK-së, ka folur edhe për ndërtimin e një burgu të ri në rajonin e Dukagjinit. Kjo gjë sipas tij po bëhet për shkak të mbylljes së burgut në Pejë e Prizren.

“Natyrisht ne sfidë kryesore i kemi këto rastet për të cilat diskutuam dhe mendojmë që shumë shpejtë do u japim zgjidhje. Në planin afatmesëm kemi vendosur për mbylljen e dy burgjeve të vjetra; burgun e Pejës dhe burgun e Prizrenit dhe ndërtimin e një burgu të ri i cili do t’i shërbejë të gjithë rajonit të Dukagjinit apo thënë më mirë të gjitha gjykatave që veprojnë në Pejë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Klinë, dhe do të jetë një burg me kapacitet më të lartë por që do t’i zëvendësojë këto dy burgje. Ne kemi marrë ofertat nga komuna e Prizrenit dhe nga komuna e Rahovecit, komuna të cilat na kanë ofruar disa parcela për ndërtuar dhe jemi në fazën e vendosjes së lokacionit për ndërtimin e burgut të ri”, u shpreh tutje Dibrani.

Një tjetër sfidë për këtë institucion është edhe mungesa e stafit. Ai shpreson se Ligji i Pagave do t’i shtyjë të rinjtë të bëhen pjesë e Shërbimit Korrektues.

“Natyrisht, ju e dini që ne në vazhdimësi kemi pasur problem me staf sepse është stafi i vjetër i cili është punësuar me vite dhe dalin edhe në pension, pra duhen plotësuar këto pozita dhe kemi hapur mbi 200 pozita të lira vetëm në tri vitet e fundit. Edhe sot kur po flasim është konkursi i hapur për 70 pozita të lira dhe kështu në vazhdimësi kemi për t’i plotësuar të gjitha pozitat që janë vakante. Sigurisht që do të jetë stafi sfidë në vazhdimësi, sepse kjo është sfidë nëpër të gjitha vendet e Evropës. Por që fatmirësisht në Kosovë kemi pasur një lëvizje të pagave, rritje të konsiderueshëm të pagës, kështu që kjo rritje shtesë do t’i shtyjë edhe të rinjtë për të aplikuar për tu bërë pjesë e Shërbimit Korrektues”, theksoi Dibrani.