Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, edhe sot ka vazhduar me kritika ndaj qeverisë Kurti.
Ai, përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se këta demagogë dialogun e zhvillojnë skutave dhe se arrijnë marrëveshje të përkohshme në villën e Titos në Ohër, ku marrin obligime për autonomi për serbët dhe zbatim të asociacionit.
Sipas tij, shtetin e Kosovës duhet ta ruajë Zoti, sepse zot shtëpie momentalisht nuk ka.
Postimi i tij i plotë:
Këta demagogë heqin dorë nga dialogu për njohje reciproke, që kishte nisur në qeverinë paraprake në koordinim me aleatët, e që zhvillohej në Bruksel e Uashington.
Dialogun e zhvillojnë skutave, hoteleve të plazheve e në darka private. Arrijnë marrëveshje të përkohshme në villën e Titos në Ohër, ku marrin obligime për autonomi për serbët dhe zbatim të asociacionit, të cilin e kishin kundërshtuar dhunshëm, në këmbim të disa obligimeve gjysmake, abstrakte e të paverifikueshme që pala serbe duhet të përmbushë.
E tash ankohen e “kërcënojnë” aleatët pse ata po i kushtëzojnë proceset euro-integruese të Kosovës me respektim të kësaj marrëveshje.
Shtetin e Kosovës e ruajt Zoti, se zot shtëpie nuk ka momentalisht!