Grenell: BE-ja e shpërbleu Kurtin me takim në Bruksel, nuk duhet të ketë takim tjetër derisa të plotësohen kushtet e 3 qershorit

unnamed-file-1931

grenell:-be-ja-e-shperbleu-kurtin-me-takim-ne-bruksel,-nuk-duhet-te-kete-takim-tjeter-derisa-te-plotesohen-kushtet-e-3-qershorit

grenell:-be-ja-e-shperbleu-kurtin-me-takim-ne-bruksel,-nuk-duhet-te-kete-takim-tjeter-derisa-te-plotesohen-kushtet-e-3-qershorit

Ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka theksuar se BE-ja e ka shpërblyer kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me një takim në Bruksel, pavarësisht se Kurti ka injoruar kërkesat e tyre.

Në një prononcim për mediat serbe, Grenell ka thënë se politika e administratës së Bidenit në lidhje me krizën aktuale të serbëve të Kosovës është që Bashkimi Evropian t’i udhëheqë negociatat, gjë që, siç thotë ai, është edhe dëshirë e Unionit.

“Kjo është pikërisht ajo që donte BE-ja, 27 anëtarët iu përgjigjën krizës ballkanike duke caktuar takime dhe duke bërë deklarata, por ndërmorën pak veprime”, tha Grenell.

Siç thekson ai, më 3 qershor 2023, BE-ja e bëri të qartë se veprimi i njëanshëm i kryeministrit Albin Kurti në veri të Kosovës është fajtor për krizën aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me atë rast, ai rikujtoi se BE-ja njoftoi se Kurti duhet të pezullojë operacionet policore pranë ndërtesave komunale, të shpallë zgjedhjet në veri të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të zbatojë zotimin e dakorduar më parë të Qeverisë së Kosovës për formimin e Asociacionit, pra siç thuhet në njoftimin e BE-së “të fillojë puna për themelimin e Asociacionit pa vonesa apo parakushte të mëtejshme”.

“Deklarata e BE-së ishte e qartë, por Kurti i injoroi të gjitha kërkesat. “Në vend që të thërrasë Kurtin për mosveprimin në tre muajt e fundit, BE-ja e shpërbleu atë me një takim tjetër në Bruksel të enjten, më 14 shtator, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Grenell.

Grenell beson se i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Zaracin, është një “politikan serioz” i cili ka treguar pakënaqësi ndaj Kurtit, por që edhe ai nuk i ka dënuar veprimet e Kurtit.

“Nëse BE-ja dëshiron të merret seriozisht në punët e jashtme, atëherë duhet të nënkuptojë atë që thotë. “Nuk duhet të ketë një takim tjetër për të diskutuar çështjet derisa të plotësohen kërkesat e 3 qershorit”, përfundoi Grenell./FrontOnline/