Çka u bë ‘sebep’ për arrestimin dhe ndalimin e avokatit Besnik Berisha?

unnamed-file-397

cka-u-be-‘sebep’-per-arrestimin-dhe-ndalimin-e-avokatit-besnik-berisha?

cka-u-be-‘sebep’-per-arrestimin-dhe-ndalimin-e-avokatit-besnik-berisha?

Avokati i njohur kosovar, Besnik Berisha, një ndër personat më kritikë ndaj pushtetit aktual, javën e kaluar përfundoi në pranga të Policisë. Urdhri për arrestimin e tij, që u konsiderua i kundërligjshëm dhe arbitrar u dha nga Prokurori i Shtetit, Rasim Maloku, të cilit avokati tashmë i ka “shpallur luftë”. Arrestimin dhe ndalimin e tij, Berisha e quajti urdhër nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa gjithë ky proces deri te kërkesa për paraburgim, ai tha se është krim.

Në dy intervista të dhëna në Nacionale e Insajderi dhe dje në një konferencë për media, Berisha ka zbuluar të gjitha detajet për arrestimin, bastisjen në njërën nga pronat e tij, ndalimin dhe seancën maratonike që u mbajt në Kardiologji.

Gjykata Themelore në Ferizaj vendosi ta lirojë avokatin, duke refuzuar kërkesën për paraburgim, që u ushtrua nga prokurori Maloku, duke caktuar një masë tjetër, vendim ky që po ashtu po cilësohet arbitrar.

Por çfarë i parapriu arrestimit të tij dhe a i kushtuan Berishës deklarimet e tij të vazhdueshme ndaj Haxhiut dhe ministrisë që ajo drejton?

Avokati Berisha, edhe dje para gazetarëve, ka deklaruar se Prokurori i Shtetit nuk ka prova për veprat që pretendon se i ka kryer ai, ashtu siç ka dështuar t’i prezantojë në seancën që u mbajt nga mbrëmja e së shtunës deri në mëngjesin e së dielës.

Ai tha se nuk ka kryer asnjë krim, por që është sanksionuar për një deklaratë që e dha në një emision televiziv, ku ka zbuluar detaje tronditëse për një skandal të qeverisë, embargon e armëve.

Mbrëmjen e 11 korrikut, Berisha ishte i ftuar në Rubikon të Klan Kosovës, ku tha se asnjë shtet, nuk po i shet armë e municion Republikës së Kosovës, për shkak të politikave të kryeministrit Kurti.

Një ditë më pas, avokati bëri një postim në Facebook, ku reagoi për deklaratën e ministres Haxhiu për përgjimet që i publikoi Nacionale, të cilën e ka vlerësuar si të paditur. Berisha kishte shkruar se ministrja ka nevojë të kthehet sërish në fakultet për ta mësuar profesionin e saj, pasi sipas tij, Haxhiu s’ka dije.

Ky postim, e një tjetër, pas disa orësh, që lidhet me deklaratën e tij për embargon e armëve, siç duket i kushtuan avokatit.

Pra, një ditë pas deklaratës së tij në Rubikon, më 12 korrik, me kërkesë të prokurorit Maloku, Gjykata Themelore në Ferizaj lëshoi urdhëresë për bastisje, por jo që kontrolli të kryhet në njërën nga shtëpitë e tij, ashtu siç edhe ndodhi.

Avokati tha se kërkesa ka qenë për t’u bastisur zyra e tij, ku ushtron profesionin e avokatisë që 13 vite, e jo ndonjë pronë tjetër.

Gjatë bastisjes, Berishës iu sekuestrua edhe një armë, për të cilën kishte dy leje, përkundër që në urdhëresë ka qenë e specifikuar që të sekuestrohen vetëm armët pa leje, si dhe u sekuestrua edhe një shumë e parave, 7500 euro, të vajzës së tij.

Krimi, sipas Berishës ka vazhduar në kërkesën për paraburgim, me fabrikime dhe trillime të prokurorit Maloku, i cili kërkoi që ta paraburgosin, nën dyshimin për tri vepra penale, për të cilat s’kishte prova.

Avokati tashmë i ka “shpallur luftë” Malokut, duke paralajmëruar se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, për ta shpërfaqur abuzimin e prokurorit, mashtrimet e tij dhe krimin që ka kryer në këtë rast.