Çitaku: Korrupsioni dhe skandalet kanë mbuluar Qeverinë Kurti, prokuroria të hetojë të gjitha rastet

unnamed-file-402

citaku:-korrupsioni-dhe-skandalet-kane-mbuluar-qeverine-kurti,-prokuroria-te-hetoje-te-gjitha-rastet

citaku:-korrupsioni-dhe-skandalet-kane-mbuluar-qeverine-kurti,-prokuroria-te-hetoje-te-gjitha-rastet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konference për medie, ka denoncuar korrupsionin dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat kanë prekur shumicën e sektorëve dhe institucioneve.

Çitaku tha se është e pakuptueshme mbrojtja e Qeverisë dhe Kryeministrit ndaj këtyre aferave, derisa i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojnë secilin rast të raportuar nga mediat.

“Siç e keni parë gjatë kësaj kohe, çdo ditë po pasurohet albumi i korrupsionit të kësaj Qeverie. Raportimet e mediave, po tregojnë që eksponentë të partisë-shtet, nuk kanë lënë asnjë sektor pa shtrirë rrjetin e korrupsionit, përfshirë edhe në gjërat më esenciale: Rrymë, grurë e vaj. Dje, pamë edhe raportimet për abuzim të fondeve që janë të paraparave për komunitete dhe rastësisht na doli që personat që kanë përfituar, të jenë familjarë të ministrave të kësaj Qeveri. Shumë prej tyre nuk e kishin as idenë më të vogël se për çka kanë përfituar ato fonde. Përballë krejt kësaj situate, më skandaloze se aferat, kanë qenë reagimet e Kryeministrit Kurti dhe eksponentëve të Qeverisë. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë dhe shpërfillje – derisa – në rastin më të keq, ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe mediave. Ftojmë institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë, që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave: Sikur që kanë humbur vajin dhe grurin!”, theksoi ajo.

Nënkryetarja Çitaku tha se Qeveria Kurti nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve të cilët po i zbulojnë rastet korruptive dhe rendit e ligjit, që po i hetojnë ato.

“Ambasadori Martin Berishaj vazhdon të jetë në detyrë, përkundër fakteve të shpalosura të cilat e lidhin me shpërdorimin e miliona eurove. Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mik i Kryeministrit Kurti, përkundër arrestimit të tij ai është vetëm i pezulluar nga detyra, por jo edhe i përjashtuar. Rozeta Hajdari, e cila ka blerë grurë prej kompanive të ndërtimit, e gruri nuk ka ardhë asnjëherë në Kosovë, vazhdon të mbetet ne detyrë. Pesë ministra, zëvendësministra e shumë zyrtarë të tjerë, në shumë institucione, sot janë nën hetime nga Task-Forca Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës. Asnjë llogaridhënie deri më tash, përkundrazi, kjo Qeveri nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve, të cilët po e zbulojnë korrupsionin dhe rendit e ligjit, të cilët po e hetojnë atë”, shtoi ajo.

Çitaku theksoi se audio-incizimet e publikuara në media kanë shpërfaqur presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë nga zyrtarët shtetërorë, për ta shkelur ligjin.

“Çdo ditë e më shumë, po rrënohet aura e epërsisë morale, të cilën VV ia kishte mveshur vetes, si parti me duar të pastra. Faktet po tregojnë që këto kanë qenë vetëm fraza boshe. Audio-incizimet po tregojnë edhe për presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë, jo për ta respektuar ligjin, por për ta shkelur atë. Derisa aferat po shtohen, keqpërdorimet e detyrës zyrtare po prekin të gjitha institucionet e kësaj Qeverie, fatkeqësisht, janë qytetarët të cilët po i vuajnë pasojat. Rritja e çmimeve, papunësia dhe varfëria, janë tri problemet me të mëdha me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë sot! Në vend të zgjidhjeve, kjo Qeveri ka ofruar vetëm cikle të pafundme të krizave dhe skandaleve. Edhe një herë, po e ripërsëris thirrjen për institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë që të veprojnë”, përfundoi Çitaku.