Bajrami: Paga minimale u përcaktua në mënyrë arbitrare

unnamed-file-757

bajrami:-paga-minimale-u-percaktua-ne-menyre-arbitrare

bajrami:-paga-minimale-u-percaktua-ne-menyre-arbitrare

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se përcaktimi i pagës minimale është realizuar në mënyrë arbitrare.

Sipas saj, Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka pasur konsultime e as dakordime rreth përcaktimit të saj.

Ajo tutje ka thënë se në përcaktimin e pagës minimale, nuk janë marrë parasysh të gjithë faktorët.

“Fillimisht, Ministri i Financave, siç është raportuar…e kemi të qartë se nuk ka pasur konsultim dhe as pajtueshmëri rreth përcaktimit të pagës minimale. Është caktuar në mënyrë arbitrare. Ka ardhur, janë tejkaluar procedurat, janë shkelur disa parime të organizatës botërore të punës dhe është bërë pa konsultim publik. Mbi të gjitha nuk është marrë parasysh as norma e inflacionit”, ka deklaruar Bajrami në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Tutje, deputetja opozitare është shprehur se Ligji për pagën minimale është miratuar në një seancë e cila sipas saj, nuk i kishte kushtet për t’u mbajtur.

“Ky ligj kaloi në seancën problematike të 13 korrikut. Kuvendi ka prekur pikën më të ulët atë ditë, jemi ndjerë të turpëruar prej asaj çka ndodhi. Në fund opozita e lëshoi sallën, kemi besuar se nuk ka pasur kushte që të vazhdojë ajo seancë, tani ka edhe pretendime të grupeve parlamentare që nuk janë përcjellë procedurat për ftesën e saj dhe rasti ka shkruar edhe në Kushtetuese.

Duhet cekur se një ligj i tillë pas më shumë se një viti ka kaluar vetëm në një seancë ku faktikisht nuk ka pasur kushte për zhvillimin e saj e ku partitë opozitare e kanë braktisur seancën. Paga minimale është caktuar 264 euro qysh ka ardhur propozimi nga Ministria e Financave në maj të vitit 2022, ndërkohë që ne e dimë se sa zhvillime kanë ndodhur që nga ajo kohë”, ka deklaruar Bajrami.

Me 60 vota për e një abstenim është miratuar Ligji për pagën minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro.