11 vite burgim dhe 3500 euro gjobë pasi pranoi se grabiti mbi 13000 euro në dy institucione mikro-financiare

unnamed-file-2023

11-vite-burgim-dhe-3500-euro-gjobe-pasi-pranoi-se-grabiti-mbi-13000-euro-ne-dy-institucione-mikro-financiare

11-vite-burgim-dhe-3500-euro-gjobe-pasi-pranoi-se-grabiti-mbi-13000-euro-ne-dy-institucione-mikro-financiare

Gjykata Themelore në Prizren, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Dardan Gashi, duke e dënuar me 11 vite burgim dhe me gjobë prej 3 mijë e 500 euro. Ai akuzohet se kishte grabitur 13 mijë 650 euro në dy institucione mikro-financiare.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi i rastit, Artan Sejrani, raporton“Betimi për Drejtësi”.

Gjykata të akuzuarin Gashi, e ka obliguar që të paguajë dëmin material dhe atë, shumën prej 11 mijë e 370 euro të dëmtuarës “Finca” dhe shumën prej 2 mijë e 280 euro të dëmtuarës “Capital Ria”.

Ndryshe, i akuzuari Gashi në seancën fillestare ka pranuar fajësinë për veprat të cilat ngarkohet.

Sipas aktakuzës, Gashi ngarkohet ai akuzohet për dy vepra penale të grabitjes në dy filiale mikro-financiare, “Finca” në Prizren nga e cila thuhet se kishte marrë 11 mijë e 370 euro dhe “Capital Ria” në Prishtinë ku thuhet se kishte marrë 2 mijë e 280 euro, për veprën penale të grabitjes së ngelur në tentativë në filialin mikro-financiar “Finca” në Prizren si dhe veprën penale armëmbajtje pa leje.

Për veprën penale grabitja nga neni 317, të akuzuarit Gashi i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Për veprën penale të grabitjes së ngelur në tentativë, Gashit i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Kurse, për veprën tjetër të grabitjes nga neni 317 i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Për veprën penale armëmbajtje pas leje nga neni 366 i KPRK-së, Gashit i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

Gjykatësi Sejrani tha se në kuptim të nenit 76, paragrafi 1 dhe 2 dhe nënparagrafi 2.4 të KPRK-së, të akuzuarit Gashi i shqipton dënimim unik me gjobë në shumën prej 3 mijë e 500 euro të cilën gjobë i akuzuari është obliguar të paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në rast se dënimi me gjobë nuk realizohet gjykata dënimin me gjobë do të ia zëvendësojë me dënim me burgim.

Kurse, në kuptim të nenit 76 paragrafi 1 dhe 2 dhe nënparagrafi 2.2 të KPRK-së të akuzuarit Gashi i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 11 vite, i cili dënim do ti llogaritet nga koha e kaluar në paraburgim nga 4 maji 2023, të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të dëmtuarit Seat Thaqi, Arbnor Zeqiri, Ymer Lufti Paqarizi, Antigona Hoxha, Artan Sharri, Burbuqe Halimaj, Gresa Jashari- Berisha, Anjesa Fejzullahu, për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest civil.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit i janë konfiskuar një çadër, një çantë dore, një pal trenerka, një pistoletë me gaz dhe një karikator të cilat pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit duhet të shkatërrohen, si dhe të njëjtit i është konfiskuar vetura e tipit “Fiat”.

I akuzuari Gashi është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100 euro dhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Gjykatësi Sejrani, udhëzoi palët për të drejtën e ankesës kundër këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 21 gusht 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Dardan Gashi.

Sipas aktakuzës, më 27 janar 2023, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i akuzuari Gashi, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filialit Y.P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu, me të cilin hyn brenda duke bërtitur dhe duke kërkuar para, me ç’rast arrin që t’i marrë 11 mijë e 370 euro dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par.3 dhe 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se Gashi më 3 maj 2023 në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës, tenton të kryejë grabitjen, mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit, i pandehuri largohet nga vendi ngjarjes dhe gjatë ikjes i bie një çadër, një çantë dhe një çelës i veturës.

Me këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas nenit 317, par. 3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Po ashtu, Gashi po akuzohet se më 4 maj 2023, në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Capital Ria”, pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen në Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij të arratiset në Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A.F., të cilës i drejton armën e zjarrit. E dëmtuara duke u ndier e kanosur dhe frikësuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2 mijë e 280 euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet ka kryer veprën penale “grabitja” nga neni 317, par.1 i KPRK-së.

Po ashtu, Gashi po akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.